Asambleja Kombëtare e Kishës Katolike në Shqipëri

Fjalimi i Sh. T. Imzot Rrok Mirdita në Asamblenë Kombëtare Kishtare

Kuvendi Kishtar Kombëtar

Shkodër, Qershor 2015

Fjalimi i Sh. T. Imzot Rrok Mirdita në Asamblenë kombëtare të Kishë Katolike  në Shqipëri. - Jeta e Kishes

 

Shumë të dashur vëllezër e motra,

Do të përpiqem të paraqes një përmbledhje të rrugëtimit të Kishës në Shqipëri nga rënia e komunizmit deri më sot. Si çdo përmbledhje, edhe e imja do të ketë mangësitë e veta, si për shembull mosparaqitja e hollësive, por parashtrimi i fazave në linja të përgjithshme; pamundësia për të përmendur data e shifra të sakta, por renditja e periudhave dhe ngjarjeve kryesore, etj. Megjithatë, besoj se një vështrim gjithëpërfshirës në këto njëzet e pesë vjet jetë kishtare në vendin tonë na ndihmon të shohim veprën e Hyjit mes nesh e ta falënderojmë atë me zemër e me jetë. Një vështrim i tillë na ndihmon të shohim edhe veprimet tona, me vlerën që mund të kenë, si dhe gabimet, për të cilat duhet të dimë të lypim falje, me shpresën se të tjerët do të dinë të bëjnë më mirë çfarë ka mbetur pa u bërë mirë prej nesh.

 

“Ringjallja” e Kishës

Shpesh herë, duke pasur parasysh shndërrimin e madh të jetës kishtare pas rënies së komunizmit, është folur për “ringjalljen” e Kishës në Shqipëri. Nuk e di nëse është e drejtë të flitet për një ringjallje përderisa, siç e kemi vënë re të gjithë, në Shqipëri Kisha nuk kishte vdekur. Kisha vdes kur mohon të vërtetat e saj, kur tradhton misionin e shpalljes së Ungjillit, kur harron se Zoti dhe dhëndëri i saj është Krishti, kur përzihet me pushtetet tokësore, duke rënë në kompromis me ta. Asnjëra nga këto nuk ka ngjarë gjatë persekutimit të pashoq komunist. Bijtë e Kishës kanë dëshmuar të vërtetën në mesin e gënjeshtrës ideologjike dhe e kanë paguar me gjakun e vet këtë dëshmi. Kisha e Krishtit, pra, ka qenë më e gjallë së kurrë në misionin e saj hyjnor. Ndoshta është më e drejtë të flitet për daljen e Kishës Katolike nga katakombet e dhunës diktatoriale. E nga këto katakombe ajo doli krenare.

Kjo histori e shkurtër, por e ngjeshur, e jetës kishtare në këto vite mund të ndahet në katër faza.

Faza e parë përfshin kohën që nga kremtimi i Meshës së parë me popull deri në vizitën e Atit të shenjtë më 25 prill 1993.

Faza e dytë që nga prilli 1993 deri me 29 qershor 2000, ditë në të cilën ndodhi ngjarja e shumëpritur e shugurimeve të para meshtarake në Katedralen e Shkodrës.

Faza e tretë që nga qershori 2000 deri më 21 shtator 2014.

Faza e katërt është faza aktuale, në të cilën gjendemi pas vizitës së Atit të Shenjtë në vendin tonë.

 

  1. I. Duke dalë nga katakombet (1990-1993)

Do të bëj në fillim disa përsiatje mbi fazën e parë, edhe pse nuk jetoja në Shqipëri gjatë kësaj periudhe, por e kam njohur menjëherë më pas. Pastaj do të paraqes në mënyrë sintetike ecjen e zhvillimet e jetës kishtare pas vizitës së Atit të Shenjtë, e në fund disa vizione mbi mundësitë e zhvillimeve të ardhshme.

Në agimin e lirisë fetare Shqipëria u zgjua nga gjumi i gjatë i opiumit marksist dhe konstatoi se ajo që marksizmi kishte quajtur opium, domethënë feja, jo vetëm që nuk e kishte vënë në gjumë Kishën, por e kishte mbajtur më të zgjuar se kurrë. Katolikët, që ishin lutur të mbyllur në shtëpitë e tyre dhe kishin ndryrë në thellësitë e zemrës kujtesën e ëmbël, por edhe të dhimbshme të dhjetëra e dhjetëra meshtarëve të cilët diktatura, duke menduar se po i zhdukte, vetëm i kishte larë me gjakun e martirizimit dhe i kishte bërë më të shtrenjtë për besimtarët, vrapuan drejt meshtarëve që i kishin mbijetuar shtrëngatës antifetare dhe i përqafuan mallëngjyeshëm.

Në dritën e këtij agimi, të krishterët e Shqipërisë panë në fytyrat e njëri-tjetrit se si çlirohej buzëqeshja. Askush nga jashtë nuk ishte aty atë ditë. Vetëm populli shqiptar dhe meshtarët e tij për të kënduar së bashku këngën e fitores. Entuziazmi i këtij fillimi të ri i ka bërë të rinj dhe energjikë të gjithë këta meshtarë, që mosha i kishte thyer, së bashku me kamxhikun e xhelatit, në qelitë e burgjeve të errëta. Ata nuk ngurruan asnjë çast, por vrapuan për të kremtuar Eukaristinë e Krishtit, pagëzimet, krezmimet, rrëfimet, vojimet dhe martesat kudo.

Ndërkohë Selia e Shenjtë organizohej për t’i ardhur në ndihmë kësaj Kishe, që gëzonte lirinë e brishtë të një fillimi të ri me dëshminë e gjallë të atyre që paguan me jetë ruajtjen e thesarit të fesë. Shpesh herë, kur përshkruhet jeta e kishës katolike që nga rënia e perdes së hekurt, harrohet kjo, që, sipas meje, është baza e zhvillimit kishtar. Në Shqipëri stafetën e jetës kishtare nuk e kemi ngulur ne, por e kemi marrë nga duart e atyre që e kanë mbrojtur me gjak, dhe duhet të jemi gjithmonë pafundësisht mirënjohës për këtë dhuratë të madhe. Për të nderuar kujtimin e këtyre dëshmitarëve besnikë, Shën Gjon Pali II bëri udhëtimin e tij të parë në Shqipëri dhe në Ballkan.

Dëshiroj të përmend një kujtim personal, jo për të treguar ndodhitë e jetës sime, por për të përshkruar gjallërinë e Kishës shqiptare të sapodalë nga përndjekja e madhe. Kur erdha për të vizituar Shqipërinë për herë të parë në vitin 1991, pasi në New York kisha njohur një numër të madh emigrantësh shqiptarë e pasi e kisha parë vendin tonë një pafundësi herësh nga ana tjetër e Bunës, shkova për të kremtuar meshë në Shkrel. Rrëketë njerëzore të besimtarëve që vinin rrugëve dhe luginave të asaj zone për të takuar Krishtin në Sakramentin e Altarit do të mbeten përherë si kujtime të freskëta në kujtesën time. Atë ditë e pashë me sytë e mi se Kisha ishte e gjallë.

Sigurisht se me këto pak fjalë nuk është përshkruar gjithë faza e parë, por nuk mund të ndalem më shumë, sepse duhet të vijoj me paraqitjen e zhvillimeve që nga vizita e Atit të Shenjtë.

 

  1. II) Bashkimi me kishën universale (nga viti 1993)

Pas rënies së komunizmit, shumë misionarë nga vende të ndryshme erdhën në Shqipëri për të mbështetur ecjen e kësaj Kishe të sapo dalë nga katakombet. Ndjehej nevoja për një mbështetje të fuqishme baritore, dhe Ati i Shenjtë, bariu i Kishës Universale erdhi në Shqipëri për të shuguruar barinjtë e Kishës së përndjekur.

Të krijohej përshtypja se pritjet e mëdha të popullit shqiptar shiheshin edhe mbi shpatullat e këtij shenjti të madh të kohës sonë, që ishte (dhe është) Gjon Pali II. Me atë vizitë fillon një etapë e re e historisë së Kishës në këto troje.  Atë ditë (25 prill 1993) jemi ndjerë më shumë se kurrë pjesë e rëndësishme e Kishës universale. E kam përjetuar edhe në personin tim peshën dhe përgjegjësinë e ringjalljes së hierarkisë me shugurimin e ipeshkvijve. Papa foli për pranverën e Kishës së Shqipërisë pas dimrit të gjatë të persekutimit komunist dhe shuguroi katër ipeshkvij, tre prej të cilëve, gjatë shtypjes fetare, kishin dëshmuar besnikërinë e tyre ndaj Krishtit. Unë pata nderin të shugurohesha ipeshkëv nga Ati i Shenjtë së bashku me tre të tjerët më 25 prill 1993.

Bindja ime ka qenë gjithmonë se kjo vizitë ishte dëshmi e dëshirës së Papës për të parë bashkësinë katolike shqiptare duke ecur me këmbët e veta.

Ajo datë duhet shkruar me shkronja të arta në historinë e Kishës sonë

Kur vë re këtë ecje shpirtërore dy ndjenja shkëmbehen.

  1. Së pari, sa shumë dashuri u ka treguar Hyji atyre që kanë pritur gjatë në fshehtësi për të kremtuar në sakrament misterin e fesë, duke u bërë të mundur të prekin me duar një realitet të ri. Ndërsa them këtë gjë kam parasysh të gjithë ata që kanë ruajtur në zemër thesarin e fesë e në mënyrë të veçantë meshtarët, rregulltarët dhe rregulltaret që janë martirizuar dhe rimartirizuar çdo ditë.
  2. Së dyti, ç’befasi u ka përgatitur Hyji të gjithë atyre fëmijëve dhe të rinjve, që sot i mbushin me jetë mjediset kishtare, duke u dhuruar mundësinë për të jetuar përmasën shpirtërore të ekzistencës në lirinë e fesë.

Është e drejtë dhe e dobishme të kujtojmë edhe të gjithë ata vëllezër e motra, që, pasi gëzuan mbi tokë kthimin e Hyjit në jetën publike të shoqërisë sonë, gëzojnë në qiell bashkimin me Hyjin e luten për ne.

Nuk mund të lëmë në harresë as ata që, për një arsye apo për një tjetër, ende nuk ia kanë shtruar vetes pyetjen mbi Hyjin. Nevojat tokësore dhe zbrazëtia shpirtërore shkaktojnë nganjëherë edhe harresën e Hyjit. Kundrejt atyre që e kanë harruar Hyjin nuk mund të marrim qëndrime gjykuese, por përgjegjësi dëshmuese.

Përballë këtij kujtimi të Kishës së gjallë, që doli nga përndjekja e madhe, lindin dy dëshira të mëdha.

  1. Së pari, që angazhimi jonë të jetë shprehje e mirënjohjes ndaj Hyjit dhe ndaj atyre që me besnikëri nuk kanë reshtur të na dëshmojnë vlerën dhe bukurinë e fesë, edhe kur ajo bëhet shkak vuajtjeje e martirizimi.
  2. Së dyti, që freskia e rifillimit të ecjes së Kishës të mund të bëhet për ne burim i pashtershëm ku mund të kthehemi për pushim në çastet e lodhjes. Shpesh herë mburremi me çfarë kemi bërë gjatë këtyre viteve, apo ankohemi për vështirësitë në të cilat kemi hasur. Duhet të mbajmë parasysh gjithmonë flijimin suprem të paraardhësve tanë, shumë prej të cilëve kanë ikur nga kjo botë pa asnjë mirënjohje tokësore.

Mendoj se një nga karakteristikat më të bukura të këtyre viteve është se shumë njerëz, nga shumë toka të ndryshme të Evropës dhe të botës kanë bërë përvojën e një vëllazërie të vërtetë në Krishtin, duke punuar në Shqipëri falas dhe pa humbur kohë, që jo vetëm çdo besimtar, por çdo qytetar të gëzojë në mënyrë më të plotë të qenët njeri. Shumë është ndërtuar, por janë vetëm themelet e një ndërtese të madhe shpirtërore që ende duhet të rritet në Shqipëri.

 

  1. b) Fara e mbretërisë

Lista e gjërave që janë bërë është shumë e gjatë dhe mendoj se nuk mund të shprehet si duhet angazhimi i misionit kishtar me anë të realizimeve materiale. Gjatë kësaj periudhe është mbjellë me bujari kudo. Ne besojmë dhe shpresojmë se kemi mbërritur tek zemra e shqiptarëve, sepse vetëm aty mund të vdesë dhe të japë fryt fara. Në këtë kantier ungjillëzimi janë ngritur strukturat bazë për të mbështetur jetën e Kishës.

Në veprimtarinë e saj baritore Kisha, duke iu përgjigjur frymëzimit të Ungjillit, përveç përshpirtërisë së besimtarëve shikon dhe kujdeset për zhvillimin e njeriut, pa kërkuar si kusht të pashmangshëm paraprak domosdoshmërinë e një ecjeje në fenë e krishterë. Kjo tregon lirinë e madhe të Kishës.

Në këtë prizëm janë ndërtuar kopshte për edukimin dhe rritjen me dinjitet të fëmijëve, shkolla fillore e tetëvjeçare pothuaj në të gjitha dioqezat, dy gjimnaze dhe një universitet për arsimin në shkallët epërore. Këto struktura nuk janë të përsosura, por janë zanafilla e një vepre që do të japë fryte në atë masë në të cilën ne, që i kemi nisur, do të jemi të lidhur me Zotin dhe me njerëzit.

Të varfrit, nevojtarët, të braktisurit, ata që vuajnë për shkak të gabimeve të veta apo për shkak të padrejtësisë, janë njerëzit të cilëve Jezusi u ka kushtuar vëmendjen kryesore gjatë jetës së tij tokësore. Një Kishë që nuk i shikon me vëmendje të thellë këta njerëz është larg Ungjillit. Vëmendja ndaj tyre nuk mund të matet me rrezen e ngushtë të projekteve politike, por me gjerësinë e mëshirës hyjnore. Veprat e dashurisë nuk burojnë nga frymëzimi ideologjik për drejtësi shoqërore, por nga drita që hedh Krishti mbi çdo njeri. Në këtë dritë i shikon Kisha nevojtarët dhe vihet në shërbim të tyre, pa pasur nevojë për mirënjohje tokësore e pa u ngatërruar me projekte politike. Duhet t’u jemi mirënjohës të gjitha rregulltareve, rregulltarëve, meshtarëve dioqezanë e vullnetarëve laikë, karitasit kombëtar e karitaseve dioqezane për të gjitha veprat e dashurisë së krishterë me të cilat kanë dëshmuar se Ungjilli nuk është teori fetare, por stil i jetës njerëzore sipas shembullit të Krishtit.

Por, po të rendisja vetëm veprat e realizuara, do të dukej sikurse po recitoj një listë të mësuar përmendësh, prandaj preferoj t’i lidh këto tregime me përvojën baritore. Është e natyrshme që unë të kem më qartë parasysh përvojën dioqezane të Tiranë-Durrësit, sikurse është e natyrshme që vëllezërit e mi ipeshkvij të njohin më mirë gjendjen në dioqezat e veta. Do të flas për përvojën time baritore jo për të folur për vete, por për të folur në mënyrë konkrete.

Emërimi im ipeshkvor më është komunikuar në dhjetorin e vitit 1992, kur në Shqipëri, siç e kam theksuar edhe më lart, rilindja fetare dhe socio-politike po përjetonin nga njëra anë entuziazmin që vjen nga një përvojë shtypjeje dhe martirizimi që kishte vërtetuar dhe provuar besnikërinë dhe vërtetësinë e shpirtit besimtar të klerikëve dhe laikëve shqiptarë, dhe nga ana tjetër brishtësinë embrionale të fillimit të përvojës së pluralizmit politik, embrion që ishte konceptuar për shekuj të tërë në mendjet dhe ëndrrat e Shqipërisë. Ky emërim ishte i veçantë, jo vetëm sepse përkujdesjes sime baritore i besohej një dioqeze me traditë të shkëputur gjatë kohës së komunizmit, siç ishin p. sh. Shkodra dhe Pulti që po në atë vit patën ipeshkvijtë e tyre, por një dioqezë që duhej të organizohej nga e para dhe selia e katedralja e të cilit ndërronin vend, zhvendoseshin nga Durrësi në Tiranë, pra në kryeqytet. Këto elemente të lartpërmendura përbënin njërën të veçantë të situatës.

E veçanta tjetër ishte se Tirana e 1993 (viti në të cilin kam filluar të jetoj këtu si Arqipeshkëv) nuk ishte më Tirana e 1945 as nga pikëpamja fetare, as nga pikëpamja shoqërore dhe as nga ajo politike. Dhe ishte fare e qartë se vrulli i ndryshimeve akoma më të mëdha, që do t’ia ndryshonin thekshëm pamjen, duhej të rritej akoma, siç mund të vërehet pa vështirësi sot duke e hedhur shikimin në të shkuarën.

Pra Tirana në përgjithësi, dhe jo vetëm nga pikëpamja fetare ishte, dhe mendoj se është akoma, një qytet në zierje, në proces, në bërje. Megjithatë, unë isha i vetëdijshëm edhe për situatën tjetër, mallëngjyese, të një tradite të heshtur, por kuptimplote katolike në këtë qytet.

Të krishterët katolikë të Tiranës së gjysmës së parë të shekullit të kaluar ishin lidhur ngushtë me dy fole shpirtërore ku gjenin ngrohtësi dhe ripërtëritje dhe këto dy fole ishin “Kisha e Madhe” (Kisha e Zemrës së Krishtit) nën kujdesin e etërve Jezuitë, ku mblidhej edhe rrethi fetaro-kulturor i quajtur “Rrethi i Sh. Pjetrit”, dhe “Kisha e Vogël”, nën kujdesin e etërve Françeskanë.

Kujtimi i këtyre dy foleve u vulos në zemrat e besimtarëve katolikë me gjakun e priftërinjve që u hoqën nga këtu dhe u vranë, dhe mbeti i paprekur deri me shpalljen e lirisë fetare. Ende sot kanë ngelur disa të moshuar, që thonë: “Po shkoj tek Kisha e Madhe”, ose “Po shkoj tek Kisha e Vogël”.

Disa të rinj e kanë dëgjuar këtë mënyrë të foluri, por tashmë ata janë mësuar me realitetet e reja kishtare të qytetit.

Pra, në vorbullën e ndryshimeve të mëdha, kishte mbetur një fije e artë që lidhte edhe në Tiranë traditën me të renë. Kjo ishte gjendja e përgjithshme në Tiranën që gjeta unë në 1993. Ura e çmueshme e traditës në këto rrethana ishin dy figura të rëndësishme: Atë Anton Luli dhe Atë Zef Pllumbi.

Duke u nisur nga kjo gjendje, më është dashur, së bashku me shumë bashkëpunëtorë, të vizatoj fizionominë e një arkidioqeze të re. Dhe, për të punuar mirë, pika e nisjes ka qenë fillimi i punës për rindërtimin e infrastrukturës shpirtërore. Me arritjen e bashkësive rregulltare filloi procesi i ungjillëzimit. Sot kemi shumë rinj dhe të reja që e kanë shestuar jetën e tyre të mbështetur në vlerat e fesë.

Infrastruktura materiale atëherë ka qenë mosekzistuese, dhe kjo, kuptohet, e ka ngadalësuar procesin e investimit të energjive vetëm në fushën shpirtërore dhe të formimit njerëzor, nga njëra anë, por, nga ana tjetër, në mes të sakrificave të shumta, të vështirësive logjistike, të mungesës së gjërave elementare, ka bërë që përvoja e fesë të piqet në konkretësinë e jetës së përditshme me angazhimet dhe djersën e saj, dhe jo vetëm në shqyrtimin teorik të doktrinës së krishterë.

Angazhimi ka qenë i madh në shkallë dioqezane dhe në shkallë kombëtare dhe është pa dyshim realizim i dëshirave të mia, i pritjeve të shumë e shumë qytetarëve, realizim i diçkaje që nuk shërben vetëm për tani, por mbetet për të ardhmen. Në këtë kornizë hyjnë shkollat, qendrat e edukimit social, oratoret, konferencat dhe periudhat e formimit të përkohshëm dhe të përhershëm. Kjo përsa i përket fushës, ta quajmë kështu, laike brenda jetës së Kishës.

Përsa i përket fushës fetare, që do të ishte e pasaktë të shkëputej nga konteksti jetësor i çdo besimtari, sepse feja nuk është në asnjë mënyrë një enë jokomunikuese me jetën, janë bërë gjithashtu hapa gjigantë. Kur them këtë mendja më shkon tek famullitë e shumta, në të cilat janë ndërtuar Kisha, ku ka klerikë e motra dhe rreth të cilave zhvillohet rritja shpirtërore e bashkësive që jetojnë aty e sidomos formimi i brezave të rinj.

Kjo përbën një materializim të dëshirave të mia dhe të gjithë misionarëve, që, duke sfiduar vështirësitë dhe mundimet, kanë zgjedhur të rrinë në Shqipëri. Por, do të thoja më shumë se kjo përbën një materializim, me ndërmjetësinë e ipeshkvijve dhe të bashkëpunëtorëve të tyre në dioqeze, të dëshirave të martirëve, që derdhen gjakun e vet të sigurt se do të jepte fryte për jetën e mëvonshme të Kishës. Në rastin e Tiranës kurorëzimi i kësaj vepre të madhe rindërtimi është arritur me përfundimin e Katedrales, e cila është Kisha nënë e dioqezës dhe kisha ku ipeshkvi kremton misteret e fesë dhe përbën shenjën e bashkimit të besimtarëve.

Po të flisja për Shkodrën, lista e argumenteve në lidhje me ndryshimin e rrëmbyeshëm të këtij qyteti e, pjesërisht edhe të kësaj dioqeze, do të ishte pafundësisht e gjatë. Shkodra është dioqeza e kujtesës, që ndoshta nuk e kemi ushqyer e ruajtur sa duhet. Nevoja për t’u kthyer tek e shkuara e afërt dhe nevoja për të vrapuar drejt së ardhmes së vrullshme nuk janë pajtuar lehtë me njëra-tjetrën as në këtë qytet, edhe pse e dimë mirë se një e ardhme pa rrënjë mund të venitet lehtë. Këtu jehon ende fuqishëm zëri i atyre që e bashkuan gjakun e vet me gjakun e Qengjit të amshuar. Ipeshkvijtë e Shkodrës, Imzot Illia e Imzot Massafra, bashkë me të gjithë klerin, rregulltarët e laikët, janë gjendur më shumë se të gjithë të tjerët në dyzimin e pashmangshëm ndërmjet të shkuarës dhe të ardhmes. Si të gjitha qytetet e mëdha të vendit tonë, edhe Shkodra ka parë të ikin shumë banorë të saj e të mbërrijnë shumë të tjerë. Në të gjitha proceset e vrullshme të kësaj dioqeze, si edhe në çastet   e shumta të vështira, është e pamundur të mendohet jeta e shoqërisë në këto njëzet e pesë vite, pa praninë dhe ndihmën e Kishës. Nuk duhet të harrojmë ndihmën shpirtërore që i jep dioqeza e Shkodrës mbarë Kishës shqiptare me trashëgiminë e vyer shpirtërore, e cila nuk shteron sado që të marrim prej saj.

Duke parë jetën kishtare në vendin tonë, në vitin 2005 Selia e Shenjtë i ka organizuar dioqezat në dy rajone kishtare, që janë Metropolia e Shkodrës dhe e Tiranës, secila me nga dy dioqeza sufragane: Sapa dhe Lezha për Shkodrën, ndërsa për Tiranën Rrësheni dhe Administratura Apostolike e Jugut. Edhe ipeshkvijtë e këtyre dioqezave kanë shumë për të thënë për realitetet e tyre kishtare, por do të veçoja kryesisht Rrëshenin e Jugun për shkak se janë seli ipeshkvore të reja.

Konferenca jonë Ipeshkvore është përpjekur të jetë shprehje e bashkimit kishtar, që duhet të jetë realitet në çdo nivel,duke filluar nga anëtarët e familjes, tek kleri dhe rregulltarët e duke mbërritur tek ipeshkvijtë, por ndoshta nuk ia ka dalë gjithmonë të jetë model i bashkimit. Të gjithë duhet të kemi guximin ta pyesim ndërgjegjen në lidhje me mëkatet kundër bashkimit e të kërkojmë falje me përvujtëri.

Shpesh herë jemi të tunduar t’i gjykojmë barinjtë për veprimet e ngutshme apo ngurrimin për të vepruar në rrethana të caktuara. Unë nuk mendoj se nuk duhen gjykuar ipeshkvijtë, sepse si të gjithë anëtarët e Kishës edhe ipeshkvijtë janë të gabueshëm, por gjykimi dhe kritikat u duhen bërë ballë për ballë, me guximin dhe dashurinë që burojnë nga Ungjilli. Njësoj duhet të sillen edhe ipeshkvijtë me meshtarët, rregulltarët dhe besimtarët që u janë besuar kujdesit të tyre baritor.

Nuk e di sa ia kam dalë të krijoj një imazh të asaj që ka ngjarë në këtë periudhë. Kam lënë pa përmendur ndihmesën e fuqishme dhe shembullore të kishës dhe karitasit shqiptar në dy krizat e mëdha të dhjetëvjeçarit të kaluar: kriza e 1997 në Shqipëri dhe ajo e Kosovës në 1999. Për sa i përket kësaj dua të them vetëm se pa këtë ndihmesë dhimbja do të kishte qenë shumëfish më e madhe. Kam lënë pa përmendur shumë gjëra të tjera, si për shembull sa pagëzime, pak a shumë, janë administruar, sa ka ndikuar në vetëdijen dhe në pavetëdijen shoqërore prania kishtare etj. etj…, dhe kuptohet se, për të folur mbi të gjitha këto, nevojitet një simpozium i veçantë dhe jo një kuvend kombëtar, i cili duhet të prekë të gjitha aspektet e jetës kishtare. Një shënim të fundit dua të bëj mbi një çështje shumë aktuale për Shqipërinë. E kam fjalën për marrëdhëniet ndërfetare.

 

  1. b) Feja në shërbim të një shoqërie më të mirë

Feja (asnjë fe) nuk ka të drejtë të bëhet kurrë ideologji, sepse në një mënyrë të tillë ajo humbet kuptimin e saj të vërtetë dhe bëhet fyerje për Hyjin dhe për njeriun. Feja për ne qëndron në zbulimin e lirë të Hyjit përpara njerëzve dhe në përgjigjen e lirë të njeriut përballë këtij zbulimi hyjnor. Prandaj elementi i lirisë personale në përvojën fetare është themelor dhe nuk mund të mungojë në asnjë mënyrë. Hyji jonë është zbuluar gjithnjë si Hyji i lirisë. Pikërisht në këtë liri qëndron dinjiteti dhe madhështia e njeriut, dinjitet dhe madhështi që i është dhënë nga Zoti, por që mund të shpie, siç ndodh shpesh fatkeqësisht, edhe në refuzimin e Hyjit.

Kisha Katolike ka një parim të qartë: nëse vetë Hyji e ka lënë të lirë njeriun të zgjedhë nëse do të besojë dhe si do të besojë, ç’të drejtë kanë njerëzit t’i detyrojnë njerëzit e tjerë të besojnë, apo të besojnë në këtë ose atë mënyrë? Pra liria fetare bën pjesë në të drejtat themelore të njeriut dhe në respektimin e dinjitetit të tij. Kisha ka si detyrë absolute të shpallë fenë e saj, por ka gjithashtu si detyrë absolute të respektojnë lirinë e të tjerëve për ta pranuar apo refuzuar këtë fe.

Është kjo arsyeja në bazë të së cilës pluralizmi fetar nuk është aspak shqetësues për Kishën dhe pse Kisha është gjithmonë e gatshme dhe e hapur për të bashkëpunuar kurdoherë edhe me besimet e tjera për promovimin e njeriut dhe të vlerave të tij.

Nëse duam shembuj konkretë se si Kisha i shërben forcimit të klimës shembullore ndërfetare në Shqipëri, mund të shohim shkollat private kishtare, që janë hapur gjatë këtyre viteve, në të cilat nxënës të besimeve të ndryshme jetojnë dhe studiojnë së bashku me të njëjtat të drejta dhe në marrëdhënie të barabarta me eprorët; qendrat shëndetësore apo aktivitetet e ndryshme kishtare ku jokatolikëve u është dhënë mundësia të punojnë përkrah katolikëve pa asnjë dallim. Kjo duke iu referuar jetës konkrete të përditshme, bazës. Por nga ana tjetër vlen të përmendet këtu edhe klima e ngrohtë miqësore ndërmjet përfaqësuesve të lartë të besimeve të ndryshme.

 

III. Për një Kishë të mishëruar

Dua t’i vijoj përsiatjet e mia me atë që në fillim e quajta faza e tretë e kësaj historie të shkurtër, por të ngjeshur. Me 29 qershor 2000, pas më shumë se tetë vjetëve që nga hapja e seminarit ndërdioqezan në Shkodër, u bënë shugurimet e para pas diktaturës komuniste. Djemtë e rinj, që vendosën t’ia kushtonin jetën Zotit në meshtari, kanë pasur hirin të njihnin gjatë viteve të seminarit plejadën e meshtarëve që kishin vuajtur burgjet e rënda. Kanë pasur hirin të mbanin mbi supe arkivolet e shumë atyre meshtarëve që, pasi kalonin nga kjo jetë tek Ati, u linin atyre mbi supat e shpirtit shembullin e shenjtërisë dhe të besnikërisë ndaj Krishtit.

Gjatë këtyre viteve është bërë çfarë ka qenë e mundur të bëhet për formimin e një kleri lokal, por është e qartë se është dashur dhe duhet bërë më shumë. Bijtë e kësaj toke, thirrja e të cilëve është fryt i gjakut të martirëve, dhe të cilët bëhen meshtarë, ndoshta janë lënë pak në hije dhe kanë luajtur role të dyta, edhe pse duhet të mbajmë parasysh gjithmonë se në vreshtin e Hyjit duhet të dimë të zëmë vendet e fundit.

Megjithatë, duhet të jemi mendje hapur e të kuptojmë se askush nuk i njeh nevojat dhe kërkesat e shpirtit shqiptar më mirë se ata që kanë lindur dhe janë rritur në këtë vend. Duhet të gjejmë rrugët dhe mënyrat për t’u vënë tërësisht në shërbim të një Kishe që duhet mishëruar në këtë popull dhe në këtë vend. I shërbejmë asaj vetëm nëse e ndihmojmë klerin lokal të rritet në dhe nëse lutemi e punojmë për thirrje të shenjta dhe u japim atyre vendin e duhur. Kur kanë arritur misionarët në Shqipëri kanë gjetur aty vetëm shqiptarët që e kishin ruajtur me vuajtje dhe martirizim Kishën në gjirin e tyre.

Misionarët kanë ndihmuar dhe ndihmojnë për rimëkëmbjen e saj. Do të ishte e pamundur ta përfytyronim jetën e Kishës pa këtë prurje të fuqishme misionare, por nëse meshtarët shqiptarë e ruajtën pa misionarët fenë, meshtarinë dhe Kishën, po këta meshtarë shqiptarë që janë shuguruar pas lirisë fetare do të jenë në gjendje ta çojnë përpara jetën e Kishës, me ndihmën e hirit të Zotit. Nuk duhet që historia e nesërme të na akuzojë për mungesë besimi dhe bashkëpunimi me ata tanë që janë bërë meshtarë, sepse, duam apo s’duam, të nesërmen duhet ta përballojnë ata vetë dhe kjo e nesërme varet nga mënyra se si e përgatisim ne sot. Meshtarëve tanë shqiptarë, sie edhe rregulltarëve e rregulltareve duhet t’u kujtojmë se përvujtëria nuk është kurrë e tepërt, si në marrëdhëniet me njëri-tjetrin e me eprorët e tyre, por sidomos me popullin e Hyjit.

Bashkë me falënderimin ndaj Hyjit për dhuratën e thirrjeve meshtarake, që ka ngjallur gjatë këtyre viteve, duhet të shtrojmë edhe disa pyetje për  sa i përket kësaj përmase të jetës kishtare.

A jemi kujdesur sa duhet për të vërejtur në zemrat e të rinjve tanë dëshirën për t’iu kushtuar Hyjit në meshtari apo në jetën e kushtuar? A kemi qenë të gatshëm për ta ushqyer këtë dëshirë? A kemi ditur të japim shembullin e një jete të kushtuar krejtësisht në shërbim të Ungjillit? A i kemi kushtuar vëmendjen e duhur përgatitjes së klerit vendas? A jemi të gatshëm ta përmirësojmë shërbimin në drejtim të përgatitjes së barinjve të ardhshëm?

 

  1. Udhëtimi Apostolik i Papa Françeskut në Tiranë dhe e ardhmja e jetës kishtare

Të gjithë e kujtojmë shtatorin e vitit të kaluar dhe hirin e asaj dite në të cilën Ipeshkvi i Romës erdhi për të na forcuar në fe. Nuk dua të bëj asnjë fjalim bindës as vlerësues për rëndësinë e asaj dite, sepse jam i bindur se secili nga ne i ka pjekur frytet de begata të atij takimi të paharrueshëm.

Ajo që dua të theksoj është trashëgimia që na lë ajo ditë, sipas takimeve që bëri Ati i Shenjtë.

  1. Në qendër ishte Eukaristia. Askush nuk është i huaj për tryezën e Zotit. Atë ditë ajo u shtrua në zemrën e Kryeqytetit të Shqipërisë, në sheshin “Nënë Tereza”, dhe përkrah besimtarëve tanë u gjenden shumë vëllezër e motra të besimeve të tjera apo pa besim fetar, për të marrë pjesë në gëzimin tonë. eukaristitë tona duhet të jenë pikëtakim me Zotin dhe pikënisje për të takuar vëllezërit e motrat tona në emër të Zotit.
  2. Pastaj përqafimi me martirët dhe porosia për ne të gjithë. Duke përqafuar Motër Maria Kaletën e Dom Ernest Troshanin, Ati i Shenjtë përqafoi martirët e Kishës sonë e na kujtoi se ata kërkuan ngushëllim vetëm tek Krishti. Ati i Shenjtë na porositi të kërkojmë edhe ne vetëm ngushëllimin e Krishtit e të mos gënjehemi me ngushëllime të tjera të kësaj bote.
  3. Pika e tretë e ditës së Atit të Shenjtë në Tiranë ishte takimi me fëmijët në nevojë dhe me të sëmurët, së bashku e të gjithë ata që janë vënë në shërbim të tyre. Feja e vërtetë nuk na shtyn të takohemi me të fuqishmit, por me të dobëtit e me nevojtarët. Do të jemi dëshmitarë të vërtetë të Ungjillit, nëse do të dimë t’u kushtojmë vëmendjen e duhur atyre që kanë nevojë për ngushëllimin e fesë, që vjen nga kryqi, vdekja dhe ringjallja e Krishtit.

Udhëtimi Apostolik i Papa Françeskut shënon hapin më të fundit të jetës sonë kishtare pas rënies së diktaturës komuniste. Kulti i vërtetë i Hyjit (Eukaristia), kujdesi për jetën shpirtërore të veprimtarëve kishtarë (takimi në katedralen e Tiranës) dhe kujdesi për nevojtarët (vizita në Bubç) janë tri shtyllat mbi të cilat duhet të mbështetet tërë veprimtaria jonë baritore, për të qenë të besueshëm para njerëzve. t’i kërkojmë Hyjit hirin, për t’i zhvilluar sipas vullnetit të tij këto përmasa të jetës kishtare.

 

Përsiatje përmbyllëse

Duke e mbyllur këtë paraqitje përmbledhëse, dëshiroj të kujtoj një pikë të rëndësishme ku duhet të përqendrohet vëmendja jonë për rritjen dhe pjekjen e Kishës dhe tre burime nga të cilat duhet të dimë të ushqehemi vazhdimisht.

Pika ku duhet të përqendrohet vëmendja jonë për rritjen dhe pjekjen e Kishës janë laikët. Kisha është populli i Zotit dhe jo vetëm strukturat e saj hierarkike. Duhet të jemi të vetëdijshëm dhuratën e madhe të fesë së secilit anëtar të bashkësive tona, falë së cilës çdo individ bëhet popull. Në mes të këtij populli jemi barinj. Pa këtë popull do të ishim endacakë. Ta zgjojmë tek njerëzit tanë gëzimin e identitetit të tyre laik, jo si kategori de dorës së dytë në jetën e Kishës, por si Kisha e vërtetë, si trupi i Krishtit, që ecën në histori. Këtë na e kujton shumë shpesh edhe Papa Françesku.

Së fundmi, tre burimet ku duhet të dimë të ushqehemi vazhdimisht.

  1. Rinia. Një ndër tundimet më të mëdha të jetës kishtare, gjithmonë dhe në çdo vend, është të përsërisim gjërat e vjetra me forcën e zakonit. Nëse biem në këtë tundim, humbim rininë, sepse rinia është gjithmonë në kërkim të gjërave të reja. Sigurish, jo gjithmonë këto të reja janë të shëndosha, por gjithmonë duhet të jemi pranë të rinjve, për t’i udhëhequr drejt një realiteti që është gjithmonë i ri: realiteti i fesë, që lind në takimin me Krishtin. Krishti dje, sot dhe nesër, na kujton Shkrimi i Shenjtë. Pra Krishti nuk i përket vetëm së shkuarës, as vetëm të sotmes, por edhe të nesërmes. Krishti është gjithmonë i vlefshëm edhe për të rinjtë, mjafton të dimë t’ua shpallim.
  2. Martirët. Martirët tanë nuk janë shpallur ende të lumë, por procesi në këtë drejtim do të vijojë. Megjithatë, askush në vendin tonë nuk e hedh poshtë vlerën e dëshmisë së tyre. Duhet t’i nxjerrim në dritë historitë e tyre, për të vënë në pah se si e begaton Krishti jetën e njeriut, duke e çliruar nga çdo frikë, edhe nga rika e vdekjes. Martirët janë edhe shembulli i faljes e i pajtimit, në një shoqëri si e jona, ku plagët e armiqësive pikojnë gjak nga të gjitha anët.
  3. Nënë Tereza. Ka zëra të besueshëm se Nënë Tereza do të shpallet Shenjte gjatë vitit të ardhshëm, sepse ekipi shkencor duket se ka pranuar mrekullinë e nevojshme për këtë proces. E dimë se qendra e fesë sonë është Krishti, por e dimë edhe se shenjtërit janë të tillë pikërisht sepse kanë vënë Krishtin në qendër të jetës. E tillë është Nënë Tereza, e cila është afër nesh jo vetëm nga gjaku shqiptar, por sepse ka ditur ta përqafojë Krishtin në realitetin më të dhimbshëm njerëzor, që është ai i skamjes e mjerimit. Përhapja dhe thellimi i përvojës së saj mistike dhe shërbestare mund të jetë një tjetër burim i rëndësishëm për jetën tonë kishtare.

Duke ju falënderuar për vëmendjen, ju kërkoj të gjithëve t’i lutemi Hyjit, që ai ta ndriçojë Kishën tonë në këto kohë të turbullta për jetën e botës e ta ndihmojë të gjejë rrugën e duhur, për t’u shpallur të gjithë njerëzve të dioqezave tona lajmin e mirë të Birit të Hyjit.

Faleminderit.

 

+ Rrok Mirdita

Arqipeshkëv Metropolit Tiranë – Durrës