Kontribut me rëndësi për historinë kishtare të Arqipeshkvisë së Durrësit
Nga Dr. Kastriot MARKU
Vitin e kaluar u botua në Gjermani vëllimi me materiale dokumentare që i përkasin arkidioqezës metropolitane Tiranë- Durrës me titullin Albania Sacra. Geistliche Visitationsbericht aus Albanien. 2: Erzdiözese Durazzo. Herausgegeben und bearbeitet von Peter Bartl, Harrassowitz Verlag, Wiesbaden 2011. ISBN 978-347-06502-3. Vepra është përgatitur nga historiani i mirënjohur gjerman Peter Bartl i cili ka lindur në vitin 1938 në Cottbus të Gjermanisë. Pasi studioi Sllavistikë, Turkologji dhe Histori të Evropës Lindore në Göttingen dhe Mynih, ai prej vitit 1980 e deri sa doli në pension më 2004, ka qenë profesor i historisë për Europën Juglindore e Lindore në Universitetin e Mynihut. Dokumentet e botuara në këtë përmbledhje, janë nxjerrë prej Arkivit Historik të Propaganda Fide (Vatikan), dhe i përkasin serive: Scritture originali riferite nelle Congregazioni Generali, Scritture riferite nei Congressi, Visite e Collegi etj. Përmbledhjes dokumentare me tetëdhjetë dokumente që i përkasin harkut kohor 1603-1912, i paraprin nji studim i thellë i historianit në fjalë (f. 9-82), në të cilën trajtohet historia politike e Durrësit, historia e Arkidioqezës së Durrësit, shtrirja dhe kufijtë e saj, të dhëna retrospektive mbi popullsinë për 106 famullitë e arkidioqezës, ndërtesave e kishave dhe të qelave famullitare, klerin shekullar dhe atë rregulltar, shkollat, porcesin e islamizimit dhe laramanizimit (kriptokrishtërimit), të dhëna mbi përbërjen e popullsisë dhe zakoneve të saj nën dritën e relacioneve baritore, kisha dhe autoriteti politik shtetëror etj. Më pas vijohet me një fjalorth të terminologjisë liturgjike (f. 83-84), si edhe në përmbyllje një konkordancë e toponimeve (f. 85-96), mbasi sikurse dihet transkriptimi fonetik i bërë nga ana e misionarëve të huaj si dhe procesi i tyre drejt zhdukjes së një pjese të madhe të tyre e bëjnë sot të vështirë identifikimin e disa vendeve që dalin në dokumentet e sipërpërmendura. Në fund, përmbledhja e përgatitur është e pajisur me një regjistër/index të plotë me emrat e vendeve, personave dhe disa koncepteve themelore që gjejmë në këto dokumente (f. 593-614). Botimi përmbledh sikurse e përmendëm 80 dokumente, prej të cilëve 34 janë relacione të hartuara nga Arqipeshkvijtë e Durrësit pas kryerjes së vizitave baritore. Nga këto relacione 5 janë hartuar nga Mark Skura, 2 janë hartuar nga Nikollë Karpeni, 3 nga Gerard Gallata, 1 nga Shtjefën Gaspari, 3 nga Pjetër Skura, 2 nga Gjon Gallata, 1 nga vikari i përgjithshëm Gjergj Logopaci, 2 nga Nikollë Radovani, 4 nga Tomë Marjani, 1 nga Pal Gallata, 8 nga Raffaele d’Ambrosio dhe 2 nga Primo Bianki. Po ashtu kemi letra dhe informacione të ndryshme dërguar Propaganda Fide-s nga Nikollë Mejkashi, Simon Suma, P. Antonio di Spoleto, Gerard Gallata, Pjetër Xymi, Pjetër Skura, Gjergj Logapaci, Nikollë Radovani, Tomë Marjani, P. Erasmo di Bagno, Pal Gallata, Pal Dodmasei, Fra Paolo di Cavallermaggiore, Raffaele d’Ambrosio, Dom Pashk Lalpepaj, Fra Bernardini da Napoli si dhe 14 raporte nga Misioni i Maqedonisë përkatësisht në vitet 1733, 1736, 1738, 1740, 1744, 1745, 1786, 1788, 1791, 1799, 1806, 1846, 1848, 1854. Në studimin hyrës autori analizon gjerësisht gjendjen e dioqezës së Durrësit nën sundimin osman, duke u ndalur në veçanti tek historia politike e Durrësit dhe tek historia e Arqipeshkvisë së Durrësit. Bartl na jep listën e plotë të Arqipeshkvijve duke nisur prej françeskanit Mark Skura (1640-1656) e duke përfunduar tek Primo Bianchi (1893-1922). Sipas dokumenteve (relacioneve) që sjell historiani gjerman, Arqipeshkvia e Durrësit gjatë sundimit turk ishte më e madhja për kah shtrirja e territoriale. Për këtë ai i referohet relacionit të Imzot Raffaele Ambrosio-s, në vitin 1854, i cili thekson se Arqipeshkvia e Durrësit shtrihej në 117 milje gjatësi e 51 milje gjerësi, që i bie që ajo të ishte rreth 222 km në gjatësi dhe 97 km gjerësi, duke mbarështuar kështu grigjën e vet të besimtarëve prej Durrësit deri në Prevezë e Janinë, ndërsa në veri ajo kufizohej me dioqezën e Lezhës duke patur si kufi deri diku lumin Mat. Arqipeshkvia e Durrësit kishte nën administrimin e saj edhe dioqezat sufragane (ndihmëse) të Albanense-, Bendense-s, Lisiense-s e Canoviense. E para përkon me pothuajse me dioqezën e Krujës, e dyta është në kufi me të dhe kishte si qendër Mamëlin, dikund në verilindje të Tiranës, e treta në zonën e Matit, ndërsa dioqeza Canoviense-s mund të lokalizohet diku prej Shkëmbit të Kavajës deri në Lushnjë, megjithëse dikur herët juridiksioni i saj mbërrinte deri në gjirin e Artës. Mjaft interes paraqet pasqyra e të dhënave mbi popullsinë e banorëve të Arqipeshkvisë së Durrësit ndër shekuj. Për shembull në vitin 1641 ajo numëronte 23550 katolikë, për të arritur në vitin 1737 numrin e 7163 frymëve, ndërsa më 1750 kishte 4743 frymë (pa famullitë nën administrimin e françeskanëve), ndërsa në prag të Pavarësisë në vitin 1912 ajo numëronte 14000 katolikë. Nji vend të veçantë zë në studimin e tij edhe gjendja e famullive, qelave dhe e ndërtesave kishtare. Në vitin 1640, 5 vite pasi Mark Skura merr detyrën si Arqipeshkëv, në zonën e juridiksionit të tij kishte 79 famulli, pjesa më e madhe e të cilave mbulohej nga një meshtar. Në periudhën në vijim numri i famullive erdhi duke rënë. Kështu në vitin 1650 kishte 66 famulli për të mbërritur në vitin 1848 kur numri i tyre ra në 13. Më pas numri i famullive u rrit gradualisht për të arritur dhe mbetur konstant numri 22 deri në vitin 1912. Reduktimi i numrit të famullive erdhi si rezultat i pakësimit të banorëve të krishtere dhe i kalimit të tyre në islamizëm. Sa i takon gjendjes së godinave famullitare dhe atyre kishtare, duhet të themi se si rezultat i persekutimit nga ana e sundimtarëve turq, varfërisë së popullatës, islamizimit në masë, e të tjera lëvizje të disfavorshme, bëri që një pjesë e mirë e tyre të braktiseshin apo të liheshin mbas dore. Përveç tërmeteve, rrënimit për shkak të vjetërsisë dhe mospasjes së mundësisë së restaurimit, një tjetër masë ekstreme ishte plaçkitja e dhunshme si rezultat i ekspeditave ndëshkimore nga ana e pushtuesve osmanë. Nëse në vitin 1641 në territorin e Arqipeshkvisë kishte 115 kisha funksionale, më 1650 kemi 105 të tilla dhe në vitin 1662 kishim 61, për të vijuar më pas si vijon: më 1670 34, 1703 22, 1772 21, 1747 20, 1754-56 15, 1814 12, 1848 9 kisha dhe 17 kapela, më 1854 27, 1862 29 dhe më 1912 kishte 22 kisha funksionale dhe 23 kapela. Shpeshherë plaçkitja e kishave shoqërohej edhe me vrasjen e misionarëve të huaj, kryesisht atyre françeskanë apo edhe të meshtarëve vendas. Nuk duhet anashkaluar se në këto dokumente relatohet ndihma e madhe që Propaganda Fide i jepte kësaj Arqipeshkvie për mirëmbajtjen, meremetimin, dhe ndërhyrjet urgjente në shumë prej ndërtesave kishtare. Kjo ishte një ndihmë e madhe e cila i bashkangjitej subsideve financiare periodike që u jepeshin autoriteteve kishtare në terren, ndihmë e cila synonte për të ndihmuar vetë klerin, sidomos atë shekullar, për të jetuar deri diku në normalisht, si pasojë e kushteve tejet të vështira, varfërisë së skajshme dhe persekutimit të vazhdueshëm.
Një pjesë e madhe e relacioneve baritore që botohen në ketë përmbledhje, sikurse e përmendëm më sipër, i përkasin gjendjes së klerit shekullar, i cili më shumë vështirësi përballonte gjendjen e krijuar, jo vetëm për shkak të mangësive materiale, persekutimit dhe varfërisë së skajshme, por edhe për shkak të padijes së klerit si rezultat i shkollimit të mangët apo në ndonjë rast edhe moralit të dyshimtë, shto këtu edhe rastet e mosbindjes ndaj eprorëve, veseve dhe mungesës së zellit apostolik etj. Për t’i ardhur në ndihmë këtij kleri, duke nisur nga shekulli i XVI e mbas, Kisha merr masa për hapjen e shkollave dioqezane, të cilat kishin për detyrë përgatitjen e kandidatëve të denjë për meshtarë. Kësaj nevoje i shërbejnë veçanërisht seminari dioqezan pranë rezidencës arqipeshkvore në Shna Prende (Kurbin) i cili më pas u transferua në Delbnisht në të njëjtën krahinë.
Krahas klerit shekullar, në Arqipeshkvinë e Durrësit vepronte edhe kleri rregulltar, saktësisht, misionarët françeskanë observantë dhe të reformuar të Shën Françeskut të Asizit. Ata shërbenin në skajet më të largëta të Arkidioqezës, në zonat më të thyera e më të vështira. Duke qenë se prania e misionarëve françeskanë në dioqezat e Sapës, Shkodrës, Lezhës, Durrësit kishte jo vetëm përshpejtuar mjaft misionin ungjillëzues, por edhe kishte rritur mjaft numrin fizik të tyre, Propaganda Fide vendosi të krijojë Misionin e Maqedonisë, një rrjet prej katër kuvendesh (Çidhna, Lura, Macukulli e Bushkashi) që mbulonte malësinë e Shqipërisë së Mesme, me qendër kryesisht në zonën e Matit, por edhe në Pllanë e Sebaste (Laçi i sotëm). Dihet tashmë se Prefekti i Misionit të Maqedonisë qe emëruar në vitin 1701 Át Francesco Maria da Lecce, autori i së parës gramatikë në gjuhën shqipe të botuar në Romë në vitin 1716. Një burim me rëndësi informimi në këto dokumente është procesi i islamizimit dhe ai i laramanizmit (kriptokrishtërimit). Durrësi dhe zonat përreth tij ishin mjaft të ekspozuara kundrejt këtij procesi, jo vetëm për shkak të shtrirjes së tij urbane, por edhe sepse ishte një qendër e rëndësishme e komunikimit tregtar. Barra e rëndë e taksave që rëndonte mbi popullsinë e krishterë, presioni i bejlerëve myslimanë, shembulli jo i mirë i meshtarëve katolikë, mbajtja e fshehur e besimit duke marrë emra myslimanë, dalngadalë bëri që një pjesë e mirë e besimtarëve të krishterë më pas ta humbin besimin e tyre. Në një vështrim sociokulturor, analiza e dokumenteve të botuara në këtë përmbledhje dokumentare na njeh me doket dhe zakonet e popullsisë shqiptare të trevës së Durrësit, me problemet e tyre sociale, virtiytet e veset, zhvillimin ekonomik, strukturën familjare dhe demografinë. Aty dalin qartë fakte mbi vjedhjet, plaçkitjet, vrasjet, shkeljen e të drejtave martesore etj. Në shumë prej relacione del qartë në pah qëndrimi i papajtueshëm i banorëve të këtyre zonave ndaj pushtuesit si dhe gatishmëria për të organizuar kryengritje kundër tij, si rezultat i mospranimit të autoritetit osman. Studimi hyrës dhe aparati kritik i përgatitur me kujdes nga Peter Bartl, si edhe vetë përmbajtja e dokumenteve të botuara, janë nji kontribut me mjaft rëndësi dhe nji burim i dorës së parë për të gjithë ata studjues që kanë në projektet e tyre kërkimore njohjen e përthelluar të historisë kishtare si pjesë e rëndësishme e historisë së Shqipërisë duke nisur prej fillimit të shekullit të XVII e deri në fillimet të shekullit të XX, ndaj përmbajtja e këtyre dokumenteve meriton një vëmendje të madhe në rrethet shkencore albanologjike.