Ad multos annos, Shkëlqesi!
Një ditë e veçantë feste për Arkidioqezën tonë ishte data 4 korrik e këtij viti, pasi në këtë ditë, bariu i saj, Shkëlqesia e Tij Imzot Rrok Mirdita kremtoi me plot gëzim dhe ndjenja falënderimi 50 vjetorin e shugurimit të tij meshtarak.
Ishte 4 korriku i vitit 1965 që i dhuroi Kishës Katolike meshtarin i cili pas një rrugëtimi të gjatë shërbesash mes shqiptarëve në Mal të zi dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të lartësohej në shërbesën e pasardhësit të Apostujve duke u shuguruar si Arqipeshkëv i Arkidioqezës Tiranë – Durrës.
Imzot Rroku u shugurua në Zagreb të Kroacisë, vend në të cilin edhe mbaroi studimet filozofike dhe teologjike, dhe ndërkohë ishte i inkardinuar në dioqezën e Tivarit.
Në vitet e para të meshtarisë së tij Imzot Mirdita, punoi në fshatrat e Ulqinit si edhe në fshatin e tij të lindjes Kllezën. Më pas thirret të punojë në një realitet si diaspora, pikërisht midis shqiptarësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku do të rrijë deri në vitin 1993, vit kur Papa Gjon Pali II do ta thërrasë të kthehet edhe një herë në Europë shumë afër vendlindjes, pikërisht në Tiranë si Arqipeshkëv. Në atë rast Shën Gjon Pali II do t’i thotë: “Të përshëndes ty, Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv i Durrës-Tiranës, që me bujari ke pranuar të përballosh sprovat dhe vështirësitë e një shërbimi baritor kërkues dhe të mundimshëm”.
Shpesh me Imzot Rrokun bisedohet për vitet e kaluara mes shqiptarësh në Mal të Zi e në Amerikë, me kënaqësitë dhe vështirësitë që çdo meshtar ka dhe kalon në përpjekjen për t’i qëndruar besnik thirrjes së Hyjit.
Ky përvjetor e gjeti Imzot rrok Mirditën në mesin e të gjithë meshtarëve, rregulltarëve dhe rregullareve si dhe besimtarëve jo vetëm të Arkidioqezës sonë por edhe të krejt Shqipërisë. Ishin të pranishëm pothuajse të gjithë anëtarët e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë si dhe sekretari i Nunciaturës apostolike Mons. Matthew Amponsah-Saamoa si përfaqësues i Nuncit Apostolik i cili për arsye shëndetësore nuk gjendej i pranishëm.
I pranishëm shpirtërisht me anë të një urimi shumë të bukur dhe domethënës ishte edhe Ati i Shejtë Papa Francesku, fjalët e të cilit nuk kanë nevojë për asnjë koment, pasi në mënyrë krejt të qartë paraqesin si një kronologji përfekte rrugëtimin besnik të këtij shërbëtori të elterit të Krishtit.
VËLLAUT TË NDERUAR
RROK MIRDITËS
ARQIPESHKËV METROPOLITAN TIRANË-DURRËS
Me lutjet tona i shoqërojmë të gjithë Barinjtë në botë. Por tani duam ta shprehim mirëdashjen tonë ty, Vëlla i Nderuar, që më 4 korrik do të kremtosh jubileun e artë të meshtarisë. Në këtë rast duhet të përkujtojmë dhe të lëvdojmë angazhimin tënd baritor që për një kohë të gjatë ke zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Shqipëri.
Meshtar i Arkidioqezës së New York-ut, e zbatove me entuziazëm zellin tënd meshtarak, duke shpallur të vërtetat shpëtimprurëse, dhe veçanërisht duke sjellë ngushëllim shpirtëror besimtarëve shqiptarë, të besuar kujdesit tënd baritor. Në punët e tua ke dëftuar cilësitë e gjenisë dhe të shpirtit, shkathtësinë dhe urtinë, saqë shën Gjon Pali II, në dhjetor të vitit 1992, të emëroi Arqipeshkëv i Durrës-Tiranë dhe më 25 prill të vitit pasues të shuguroi.
Në mbarështimin tënd të përditshëm je treguar i zellshëm në shtjellimin e doktrinës katolike, në ndërtimin e strukturave dioqezane, në zbatimin e nismave bashkë me meshtarët dhe besimtarët. Në periudha të vështira ke qenë krejt i kujdesshëm për përparimin shpirtëror të të krishterëve, për të cilët në situata të ndryshme ke qenë moderator shpirtëror dhe ndihmës në jetën e përditshme. Jo pa vështirësi, por plot besim në provaninë hyjnore, ke zbatuar shumë nisma, që besimtarët, pas periudhës së ngushtë, të mund ta lëvdonin Hyjin e gjithëpushtetshëm me më shumë zell. Me kujdes, nëpërmjet lutjeve dhe shembullit të jetës sate të përditshme, je përpjekur t’i tregosh grigjës sate rrugën e drejtë kah e vërteta dhe lumturia. Je kujdesur për ngritjen e selisë së re dhe për ndërtimin e tempullit katedrale të kushtuar shën Palit në Tiranë, e cila është qendra e gjithë jetës shpirtërore e Arkidioqezës.
Duke pasur parasysh këto si edhe të tjera merita dhe cilësi të tua, edhe bashkëvëllezërit ipeshkvij të kanë vlerësuar, ty që të kanë besuar me detyra shumë të rëndësishme në Konferencën Ipeshkvore të Shqipërisë dhe dy herë të kanë zgjedhur si kryetar.
Me rastin e gëzueshëm të jubileut tënd, me ndërmjetësinë e së Lumës Virgjër Mari, të urojmë urime më të mira, më së pari ndihmat e Hyjit. Dëshirojmë gjithashtu të të shoqërojë bekimi ynë apostolik, që të përcjellim sikurse të ishim të pranishëm, dhe që do tu komunikohet të gjithë atyre që do të marrin pjesë në kremtimin e jubileut tënd, duke kërkuar lutjet prej jush, që të mund të zbatoj me besnikëri, sipas vullnetit të Hyjit, detyrën shumë e rëndë si pasardhës i Pjetrit.
Nga Selia e Vatikanit, me 11 qershor të vitit 2015, viti i tretë i Pontifikatit tonë.
Franciscus
Pas leximit të urimit, vijoi Kremtimi Eukaristik i prirë prej vetë Shkëlqesisë së Tij Imzot Rrok Mirdita.
Një çast mjaft i bukur ishte edhe predikimi i bërë prej Sh. T. Imzot George Frendo, i cili më shumë se sa në një përshkrim kronologjik të jetës së Arqipeshkvit, u ndal në analizimin e thirrjes meshtarake, në bukurinë që ajo sjell në jetën e kishës, në angazhimin që ajo përbën në jetën e personit si dhe në dobishmërinë e saj për shëlbimin e botës dhe pajtimin e njerëzve me Hyjin.
Në përfundim të kremtimit, u lexua edhe përshëndetja që Nunciatura Apostolike i bënte Arqipeshkvit në këtë jubile të artë. Në përshëndetjen e Nunciaturës ndër të tjera thuhej: Jemi shumë të gëzuar që bashkohemi me falënderimin tënd ndaj Zotit për dhuratën e Meshtarisë dhe për gjithë të mirat që Ju i keni sprovuar në këto 50 vite meshtarie…. Shkëlqesia e juaj, duam t’Ju themi: shumë urime për pesëdhjetë vitet e tuaja të meshtarisë; Ad multos annos! Zoti ju dhashtë edhe shumë vite të tjera me qëllim që të mund ti shërbeni Kishës.
Ky kremtim i gëzueshëm, jubile i artë i meshtarisë së Arqipeshkvit u mbyll me një përshëndetje të vetë Shkëlqesisë, përshëndetje kjo e mbushur me plot emocion dhe ndjenja falënderimi për atë që zoti ka bërë në jetën e tij personale për të mirën e popullit që i është besuar:
Të nderuar vëllezër Ipeshkvij e meshtarë
Shumë të dashur vëllezër e motra,
Ju falënderoj me gjithë zemër për praninë tuaj në këtë kremtim, me të cilin përkujtoj me mirënjohje të thellë ditën e shugurimit meshtarak. Falënderoj Imzot Gjergjin për fjalët që tha dhe për tërë bashkëpunimin e vyer përgjatë viteve.
Të gjithë të pagëzuarit e kanë dhuratën e meshtarisë, por në mes të pagëzuarve Hyji thërret disa njerëz për meshtarinë shërbestare, të cilët qëndrojnë mes popullit të Hyjit për të kryer porosinë e fundit të Krishtit: kremtimin e përkujtimit të tij.
Unë kam pasur hirin e kësaj thirrjeje, të cilës i jam përgjigjur për herë të parë kur kam hyrë në seminar dhe pastaj, pas shugurimit meshtarak këtë përgjigje e kam përtërirë ditë për ditë për pesëdhjetë vjet.
Për ta dalluar këtë thirrje e për ta jetuar atë më përkushtim e besnikëri janë nevojitur rrethanat e përshtatshme, por sidomos njerëzit e përshtatshëm, sepse thirrja vjen brenda Kishës, që jeton në kohë dhe është e përbërë nga njerëz. Është Kisha ajo që e shqyrton thirrjen dhe i shuguron meshtarët. Kisha për mua ka filluar tek familja ku kam lindur dhe vijon gjer tek kjo dioqezë, ku kam privilegjin të shërbej si ipeshkëv. Mirënjohja për dhuratën e meshtarisë përkon pikë për pikë me mirënjohjen për dhuratën e përvojës kishtare.
Nuk është e mundur të përmend në këtë fjalë të shkurtër të gjithë ata njerëz që e kanë ushqyer në mua gëzimin e përvojës së mrekullueshme të jetës meshtarake, por, edhe pse më vjen keq për shumicën e atyre që nuk mund të përmend, megjithëse i mbaj në zemër, dëshiroj të ndaj me ju falënderimin e veçantë për disa prej tyre.
Të parët janë prindërit e mi. Ata më kanë ushqyer me dashurinë për Hyjin dhe më kanë përçuar gëzimin e fesë. Pastaj vjen gjithë familja e gjakut tim, e cila më ka mbështetur në çdo hap të shërbesës sime me bujari të madhe, duke respektuar thellësisht angazhimet e mia në Kishë. Pastaj vjen dëshmitari i parë i bukurisë së jetës meshtarake, Dom Simon Filipaj. Më tej vjen ipeshkvi i Tivarit, që më pranoi në seminar dhe që më shuguroi, dhe bashkësia e seminarit te Zadarit dhe Zagrebit. Nuk mund të lë pa përmendur edhe dy bashkudhëtarët e ecjes sime meshtarake, dom Tomën dhe dom Franin, me të cilët kam përjetuar entuziazmin fillestar dhe kam ruajtur miqësinë e gjatë.
Dëshiroj të kujtoj në këtë përvjetor në mënyrë krejtësisht të veçantë dy meshtarë me të cilët kam ndarë vitet e rëndësishme të pjekurisë sime meshtarake gjatë shërbesës në New York. Njëri është Dom Zef Oroshi, i cili gjendet pranë Meshtarit të Amshuar në lumninë e qiellit, ndërsa tjetri është Dom Pjetër Popaj, që ka pasur mirësinë të vijë nga New York-u për të ndarë me mua këtë gëzim.
Pastaj vijnë të gjithë bashkëpunëtorët e ngushtë të njëzet e dy viteve në Tiranë, emrat e të cilëve janë të shtrenjtë për mua e të qartë në mendje, por janë aq të shumtë, sa do t’ju merrja tepër kohë për t’i renditur. Më lejoni të përmend vetëm tre ipeshkvinjtë me të cilët jam shuguruar: Imzot Frano Illia, Imzot Robert Ashta dhe Imzot Zef Simoni, të cilët kanë qenë për mua hallka e pakëputshme e lidhjes me kishën martire dhe shembulli i përsosur i besnikërisë meshtarake.
Dy emrat e fundit që dëshiroj të përmend janë e Lumja Nënë Tereza dhe Shën Gjon Pali II. Sa herë i kam takuar këta dy shërbëtorë të mëdhenj të Kishës dhe të njerëzimit, kam ndjerë shijen e shenjtërisë.
Është e vërtetë, të gjithë këta kanë qenë të rëndësishëm për jetën time meshtarake, por, si mund të mos kujtoj me mirënjohje të thellë e me nderim të madh popullin e Hyjit, mes të cilit jam ndjerë gjithmonë i mirëpritur e i dashur, si në Tivar, ashtu në New York e në këtë Kryedioqezë. Lidhja me popullin, që arrin kulmin në kremtimin e sakramenteve, me në krye Eukaristinë, është gëzimi i vërtetë i thirrjes meshtarake. Për këtë gëzim të pashtershëm e falënderoj Hyjin nga thellësitë e zemrës, që më ka thirrur në këtë shërbesë e më ka dhënë hirin e besnikërisë.Për këtë popull të Hyjit e kam kushtuar këtë eukaristi, duke iu lutur Bariut te Mirë që prej këtij populli të ngjallë thirrje të shenjta për shërbesën meshtarake.
Gjatë gjithë këtyre pesëdhjetë vjetëve kam thirrur dhe kam përjetuar mbrojtjen e Nënës së Krishtit, Zojës së Këshillit të Mirë. Në përfundim të këtij kremtimi ia besoj asaj vitet e mia të ardhshme dhe i kërkoj të ndërmjetësojë për ju të gjithë, që të mos ju mungojë kurrë gëzimi i fesë në Birin e saj. Amen.