Nga Imzot George Frendo O.P.
Gjithmonë më ka bërë përshtypje shpirti i gëzueshëm që shpreh Shën Pali në Letrën drejtuar Filipianëve, duke menduar që e shkruajti këtë letër kur ishte i burgosur. Si mundet një person, i burgosur padrejtësisht, të thotë se ishte i gëzuar, dhe të nxisë lexuesit e tij të gëzohen? E vetmja përgjigje është se ka diçka të veçantë që e cilëson këtë lloj gëzimi: është gëzimi i Hyjit. Ja pse apostulli me vendosmëri përsërit: “Gëzohuni në Hyjin”. Ndoshta e kemi humbur domethënien e atij mesazhi që nisi një revolucion të heshtur në një botë pagane dhe të përçarë, mesazhi që shpall Krishtin si ai në të cilin nuk ka mashkull apo femër, as hebre apo pagan, sepse Ai e rrëzoi murin e ndarjes. Edhe sot ky mesazh mund t’i sjellë shpresë dhe gëzim një bote të dëshpëruar. Në Biblën, mungesa e gëzimit është një pasojë e largimit të njeriut nga Hyji, dhe prania e gëzimit është pasojë e bashkimit me Hyjin. Dhe në fakt Fjala e Hyjit gjithmonë paraqitet si lajmi i mirë, një premtim që nxit shpresë, dhe një gëzim të pafund. Besimtari është i nxitur t’i shërbejë Hyjit me gëzim. Përveç kësaj, sipas Shën Palit, gëzimi është një nga frytet e Shpirtit Shenjt. Maria i solli gëzim shtëpisë së Elizabetës. Të dyja gratë e dinin që gëzimi që vjen nga Hyji është një dhuratë që duhet të ndahet me të tjerët. Të dyja kishin arsye të gëzohen, të dyja kishin mbetur shtatzënë në mënyrë të mrekullueshme: në rastin e Elizabetës, ajo ishte shterpë, dhe, në rastin e Marisë, ajo ishte virgjër. Të dyja e kishin përjetuar Hyjin në një mënyrë të veçantë në jetët e tyre. Ato po ndajnë gëzimin e tyre, një gëzim që nuk njeh xhelozi. Xhelozia na verbon, na bën të paaftë të shohim të mirën tek tjetri dhe tek vetja jonë. Xhelozia e shndërron gëzimin në pikëllim. Por Maria dhe Elizabeta e ndanë gëzimin e tyre duke vërejtur dashurinë e Hyjit që vepron në secilën prej tyre. Dhe gëzimi i tyre ishte kaq i madh, saqë edhe vetë Gjoni, i cili ishte akoma në kraharorin e s’ëmës, “kërceu nga gëzimi”. Disa muaj më vonë Maria na dhuroi dhuratën më të madhe të Hyjit: Birin e Hyjit e mishëruar në kraharorin e saj. Duke na dorëzuar neve, njerëz të mjerë, këtë dhuratë, ajo na kujton se askush nuk ka të drejtë të gëzohet vetëm. Gëzimi duhet të ndahet. Disa vite më vonë, Maria i solli gëzimin një çifti të sapomartuar në Kanë të Galilesë. Gjatë dasmës, mbaroi vera, dhe, falë ndërhyrjes së Marisë, Jezusi bëri mrekullinë e tij të parë, dhe u siguroi atyre verën, e cila, në gjuhën Biblike, është gjithmonë simbol gëzimi. Po ti, me kë e ndan gëzimin tënd? Vetëm me familjen dhe miqtë e tu? Nëse është kështu, atëherë nuk e ke kuptuar tërësisht mesazhin e krishterë. A mendon për ata miliona që vdesin urie? Mund të jenë shumë larg teje. Por mendo për ata miliona të cilëve u mungon jo buka, por dashuria. Ata mund të jenë shumë afër teje, fqinji yt: një vejushë që jeton vetëm, e braktisur edhe nga vetë fëmijët e saj, ose një grua e sapodivorcuar nga bashkëshorti … Të gjithë këta kanë nevojë për një buzëqeshje. A mund t’u japësh një buzëqeshje? Kardinali Suenens e përcaktoi buzëqeshjen me këto fjalë: “Një buzëqeshje është një rreze e shndritshme nga fytyra e Hyjit. Të buzëqeshësh është të shohësh të tjerët me sytë e Hyjit”. A mund t’u buzëqeshësh të tjerëve e t’i shohësh me sytë e Hyjit, sytë e të cilit janë gjithmonë të pastër dhe pa paragjykime?