Imzot Rrok Mirdita – IPESHKVI I LIRISË

Imzot Rrok Mirdita  IPESHKVI I LIRISË

Imzot-Rrok-Mirdita
Imzot-Rrok-Mirdita

Kalimi në amshim dhe kthimi ne shpinë e Atit me datën 7 dhjetor i Arqipeshkëvit Metropolit të Dioqezës Tiranë Durrës, Shkëlqësisë së tij Monsinjor Rrok Mirdita, ka lanë nji boshllek të thellë në zemrat e besimtarëve katolik shqiptar dhe në veçanti në Dioqezën që drejtoi për ma shumë se dy dekada bashkë me rrethin e të afërmeve e bashkpuntorëve të tij. Ceremonia e funeralit, homazhet e shumta të besimtarëve katolike, njerëzve vullnetmirë, autoriteteve politike e shtetnore, eksponenteve të artit e kulturës, dhimbja korale me të cilën u përcoll në banesën e fund Monsinjor Rrok Mirdita, dëshmuen qartësisht impaktin e madh që magjisteri e figura e tij njerëzore e fetare kishte lanë në menden e zemrën e qytetarëve shqiptar.

Në rastet e largimit nga kjo jetë të nji personi, për ma shumë me rol të rëndësishëm publik, privilegjohet tendencialisht qasja përkujtimore, tue vu theksin mbi disa profile të temperamentit apo përshtypje emotive të lana prej tij, të cilat me gjithë finsnikërinë e tyne, rrezikojnë me ra në kultin e nji ngushëllimi autoreferencial të momentit, tue fashit dimensione ma të thella. Me këtë premisë rikujtuese e gati ezorcizuese, do të përpiqem me shkrue disa rreshta të thjeshtë mbi Monsinjor Mirditën, tue pohue se mënyra ma e mirë me e kujtue  asht trashëgimia e tij e gjallë që  i mbijeton largimit fizik nga kjo jetë.

Në gati 5 vitet e qëndrimit tem në Tiranë, i ardhun mbas gati 10 vitesh qëndrim jashtë vendit e me nji përvoje të thellueme shpirtnore në Patriarkatën Veneciane, fillova tue frekuentue Katedralen e Shën Palit dhe realitetin kishtar të dioqezës Tiranë-Durrës e pikërisht aty kam rinjoft ma mirë e prej afër Monsinjor Mirditën, njohje e cila me kalimin e kohës u shndrrue në nji miqsi diskrete, për të cilën i jam mirnjohës Zotit për frytet e mëdha shpirtnore që më ka përftue kjo njohje. Falë mirsisë dhe sensibilitetit të veçantë baritor që kishte Monsinjor Mirdita ndaj besimtarëve katolik në përgjithësi e atyne të impenjuem në ambicie, idealisht e operativisht në agoranë publike, kam deduktue qysh në takimet e para personale apo edhe në prononcimet ne rastet publike e liturgjike, se përmasa e tij njerëzore e fetare ishte vërtet në nivele superlative për me e përfaqësue me dinjitet komuninetin katolik të Dioqezës Tiranë-Durrës dhe të krejt Shqipnisë.

Zbërthimi i stilit magjisterial të Monsinjor Mirditës nuk asht nji operacion i kollajt, tue pasë parasysh ma shumë se dy dekada qëndrim në krye të dioqëzes Tiranë-Durrës dhe sfidat e shumta që i asht dashtë me përballue në detyrën sa fisnike aq delikate të komunikimit të Krishtit në Kryeqytetin e antikrishtit botnor, i dëbuem me dhunën e ligjit, tue lanë të infektuem me paragjykime atavike e rrënoja shpirtnore ambientin e grigjën e besuemë prej Atit Të Shejtë Gjon Pali II me 25 prill 1993 gjatë shugurimit ipeshkvor.

Mbi bazën e vetëdijes së persekutimit shembullor të komunitetit katolik gjatë rregjimit komunist e atyne pararendese e bindjes se nji qëndrese heroike të kishës martire shqiptare dhe përvujtnisë me u thellue në përgjegjësinë Episkopale të Arkidioqezës Durrës-Tiranë, fillon misioni i Monsinjor Mirditës me ngritë infrastrukturën shpirtnore e materiale të komunitit katolik në Kryeqytet por edhe predikimin e fjalës së mirë çdo njeriu vullnetmirë, kurioz e i prekun prej Shpirtit të Shejtë.

Sfida me nis prej fillimit, “ex novo” ringritjen e Kishën, përtej aspekteve materiale praktike, në nji ambient me shumë pak besimtar katolik, sepse në atë kohë ala komuniteti katolik jetonte në zonat e veta tradicionale, e konfiguron punën e Monsinjor Rrokut si mision gati i pamundun dhe në bisedat e para me ta më kallxonte se si prej dritares së dhomës së Hotel Dajtit ku ishte resident në pritje të sistemimit logjistik, “fantazonte” andrra me sy hapun për me ndërtue nji Kishë bash në horizontin visual mbas hotelit…

Ndërsa vazhdonte rrëfimin mbi impaktin e parë të detyrës së re, Monsinjori me mirnjohje ndaj Provanisë Hyjnore, u ndalte mbi detaje të tjera interesante për me tregue se si vegimi u ba realitet dhe Katedralja u ngrit aty ku fantazonte ai në dritaren e Hotel Dajtit. Në bidesë e sipër, i thosha Monsinjorit se rritja e Komunitetit Katolik në Tiranë ndoshta kërkon vegime të tjera, tue aludue për  nji kishë edhe ma madhështore në përmasa, Monsinjor Rroku përgjigjej në mënyrë të paqtë, të përpiktë dhe të argumentueme se Kisha Katedrale asht e mjaftueshme për konditat e Komunitetit Katolik në Tiranë, tue shtue se Kisha e vërtetë asht e përbame prej njerëzve dhe asht iluzore me pretendue se nji objekt kultit mundet me u ba vend të gjithë besimtarëve sidomos në kohë festash.

Me të vërtet fjalë që tingëllojnë profetike edhe në vështrimin e ankesave dhe alibive të disave komuniteteve të tjera fetare në Shqipni, të cilat për me ndërtue ambiente të tjera kultit në kryeqytetin e Shqipnisë, japin si argument idenë e spostimit të besimtarëve prej rruget për me ba lutjet e tyne.

Në gamën e gjanë të temave spontane të diskutimit me Monsinjorin, mund të tham pa droje se tipar thelbësor i tij ishte esencialiteti dhe mbi bazën e këtij kriteri mund të lexohet krejt aktiviteti ipeshkvor në Dioqezën Tiranë Durrës në shërbim të grigjës së vet dhe çdo njeriu vullnetmirë.

Esencialiteti si veti mishëruese e përfaqësuese e personalitetit të Monsinjor Mirditës bante vërtet diferencën në daljet publike e liturgjike, mesazhet me rastin e festave apo në kuadrin e ministerit ipeshkvor dhe ishte kunora vezulluese e stilit të tij të ponderuem në komunikim bash në rrëmujën e kullës së babelit shqiptar, në të cilin flakronte e vazhdon thashethemi e dhuna verbale si dimension i normalizuem i jetës shoqnore të tranzicionit shqiptar.

Nji veti tjetër e personalitetit të Monsinjor Mirditës që më ka befasue pozitivisht dhe me të cilën jam gjet në sintoni integrale, ishte parrezia unjillore, të cilën e ruente nga përzimja me thashethemin, tue ba demitizimet e rastit plot me humor të hollë për patologjitë e nji shoqnie në tranzicion e cila arsytonte me kriteret e supernjeriut dhe transferonte këtë qasje në pikturimin mitik të historisë së vetë dhe personazheve të saj.

Ky sens i inteligjencës praktike, thellësisht i kshtenë e ka ndihmue Monsinjorin jo vetëm me kenë në çdo takim me personat shkollë efikase e përcjelljes së mesazhit unjillor por edhe me kenë një ndër protagonistët kryesor të dialogut produktiv në realitetin plural e multifetar shqiptar dhe interlokutor i mprehtë e dinjitoz në raportimin me politikën dredharake shqiptare, e cila nuk arrinte me e kuptue magjisterin e shkollën e diplomacisë së ipeshkëvit të Tiranës, të bazueme në të vërtetën.

Shumë herë politika për shkak të pozicionit e autoritetit të Monsinjor Mirditës, ka tentue me e instrumentalizue për interesat e veta kontingjente dhe Monsinjori me elegancë e urti ka shmang këtë gracke, tue e rritë e shumue prestigjin e komunitetit katolik, diçka aspak e natyrshme tue pasë parasysh historinë e disa tensioneve ciklike me impakt të fortë shoqnor e politik me disa komunitete të tjera fetare.

Disa herë pozita superpartes e Monsinjor Rrokut apo edhe rastet e kortezisë institucionale në ndërveprimin me poltikën dhe institucionet shtetnore, janë lexue me “lentet” e rreshtimit të tij në nji krah apo tjetër politik, tue krijue edhe keqkuptime në disa perceptime sipërfaqësore, të cilat nuk arrinin me kuptue se misioni i Ipeshkëvit nuk mund të reduktohet me kritere të ngushta politike.

Misioni i Ipeshkëvit si Bari shpirtnor i grigjës së vetë dhe subjekt moral aktiv në laminë shoqnore e tejkalon politikën dhe Monsinjori ishte i vetëdijshëm për këtë fakt elementar, tue e interpretue në mënyrën ma të mirë të mundshme.

Personalisht më ka qëllue me trajtue meMonsinjor Rokun situatën e margjinalizueme të komunitetit Katolik dhe rrugëtimin e tij  problematik të përfaqësimit  në jetën politike e shoqnore të vendit tonë, tue u orvatë me gjetë edhe zgjidhje për nji bashkpunim ma të mirë mes laikëve dhe hierarkisë së Kishës.

Edhe pse ky argument nuk asht cek shpesh, Monsinjori nuk i shmangej disa saktësimeve të domosdoshme në linjë me këtë temë tue përmend edhe magjisterin e konsoliduem të Kishës katolike bashkë me vetëdijen personale të konditës specifike shqiptare. Megjithëse e kuptonte padrejtësinë inerciale të përfaqësimit të katolikëve dhe nji fare ndjenjë frustrimit të komunitetit katolik, ai nuk kërkonte alibi tjetërkund  por shtronte nevojën e dëshmisë publikë të laikëve katolikë dhe pjekjses së kushteve psikologjike e kulturore me rivendikue simas kriterit demokratik angazhimin në agoranë publike. Shtonte gjithashtu, se sinergjia me barijt shpirtnor nuk nankupton varësi operative perverse ajo e parimeve morale dhe Kisha nuk mundet me iu zëvendësue përgjegjsisë autonome të laikëve katolikë në dialektikën politike, tue u ba patericë e tyne, pasi misioni i saj ka finalitete eskatologjike.

Me fjalë te thjeshta e plot substancë Monsinjori çmontonte disa objeksione që  qarkullonin në adresë të kishës, me prejardhje ma tepër nga galaksia e frustrueme demokristiane, për nji qasje gati neglizhente të kishës për sa i përket kontributit të saj me ndihmue përfaqësimi e katolikëve, tue na kujtue se vetëm emni katolik asht i pamjaftueshëm për me përfaqësue politikisht komunitetin, pa nji rranjosje në fenë e gjallë të Krishtit apo me mungesa valoriale evidente politike në sensin e naltë të termit, programore dhe ideore.

Përkundrazi, abuzimi me emnin katolik për interesa thellësisht personale në fushën politike dhe shembujt kontingjent të keqpërfaqsimit të kauzës katolike në politikë me kontributin e atij modeli dominues antikatolik, ishin motiv keqardhje njerëzore për Monsinjorin, të cilat i “driblonte” dhe relativizonte me atë tensionin e tij eskatologjik dhe për këtë fliste shpesh edhe në mesazhet e veta me rastin e festave të Krishtlindjeve e Pashkëve, tue tregue rrugën e Krishtit si e vetmja rrugë shëlbuese integrale për njeriun e çdo kohe, kombi e feje.

Gjithsesi, nuk kanë mungue raste ku Monsinjori me diskrecion e rrespekt për rolin e tij dhe ndaj institucioneve, ka dhanë kontributin e vet me zgjidh situate delikate në favor të së mirës së përbashkët e paqes sociale me objekt përfaqësimin e kauzës së katolikëve.

Etika e përgjegjësisë si stil i qenësishëm i komunikimit të Monsinjor Mirditës asht dëshmue barriere imunitetit edhe në rastet kur politika otomanokomuniste godiste për arsye banale ato pak katolik të inkuadruem me  detyra e përgjegjsi shtetnore, tue shpjegue me laicitet të mirfillët e kurajo shejte “Cezarit censor të rradhës” kufinin mes kujdesin baritor të Kishës për grigjën e saj dhe të drejtave e detyrimeve të autoritetit publik në raport me qytetatët e vetë.

Raportin mes Cezarit dhe Krishtit, Monsinjor Mirdita dinte me e jetue mjeshtërisht dhe kishte nji koncept të naltë për dialogun në përgjithësi dhe atë fetar në veçanti, larg pikturimeve mediatike të “qokave” të modelit shqiptar mbasi njeriun e shihte si imazh të Zotit, prej të cilës rrjedh shpresa që nuk zhgënjen së bashkëjetesa paqësore asht e mundun mes personave me fe e bindje të ndryshme.

Parresia unjillore e ruejtja e identitetit historik e praktik të komunitetit katolik në dialog të hapun me instancat e shoqnisë shqiptare plural, ishte nji tjetër karakteristikë e Monsinjor Mirditës.

Tematika e identitetit dhe dialogut në kuadrin e unjillizimit të ri, e ambientueme në rastin Shqiptar i dha mundësinë Monsinjor Mirditës me bashkënda këto argumente me Ipeshkvijtë e ardhun prej të gjithë Europës, me rastin e mbledhjes së tyne në Tiranë të para disa vitesh. Në disa hapa të homelinë së meshës me ipeshkvijtë Europiane, Monsinjor Mirdita shpjegonte disa specifika të realitet praktik shqiptar në lidhje me harmoninë fetare.

Ndërsa e propozonte si model bashkëjetesën fetare që duhej të konsiderohej prej Europës dhe botës, ai aludonte në pjesë të tjera të homelisë se “segreti” i saj konsistonte ne faktin se Komuniteti katolik edhe pse me histori persekutimit të randë, nuk ka zhvillue ndjenja hakmarrjet e përjashtimit e as komplekse inferioritetit për situatën e vetë numerike apo ndjenja superioritetit për thesaret e veta kombtare të paçmueshme në raport me komunitetet e tjera fetare.

Në këtë perifrazim ndoshta pak arbitrar të homelisë së Monsinjor Mirditës në raport me modelin e dialogut, del në pah valenca pedagogjike e faljes, bujarisë dhe komunikimit me identitete të qarta, temë e cila u ritheksue edhe nga Papa Françesku në vizitën e tij të 21 shtatorit 2014, prej të cilës ushqehet e merr linfë vitale çdo lloj dialogut i shëndetshëm.

Ftesa e organizimi i pritjes së Ipeshkvijve të Europës, me suksesin e kësaj mbledhje dhe implikimet pozitive edhe në rrafshin politik për dinamikat e Shqipnisë në ambicien e saj për integrim në Europë, nxorën në pah dimensionin ndërkombëtar të Monsinjor Mirditës, i cili në meshën konkluzive të atij eventi, iu “prini” me dinjitet Ipeshkvijve dhe Kardinalve të Europës me nji ceremoni fantastike e homeli mbreslanëse.

Bile, kardinali primat i Budapestit, Erdo, më të cilin pata nji shkëmbimi të vogël opinionesh mbi impaktin që kishte për ta organizimi i mbledhjes së Ipeshkvijve të Europës, u ndal te përshtypjet e jashtëzakonshme të personalitetit të Monsinjor Mirditës dhe fjalëve të tij gjatë meshës dhe punimeve të mbledhjes.

Vizita e Papa Françeskut në prag të përmbylljes kanonike të misionit të ipeshkvit e mbushi me gëzim të madh Monsinjor Mirditën dhe shifte pikërisht qysh tek shugurimi historik në Shkodër prej Papa Gjon Palit II e deri në vizitën e fundit papnore, shejin e  dashnisë së veçantë të Zotit për ta, tue e lidh po ashtu me përvojën e takimeve personale me Nanë Terezën.

Ndamja nga kjo jetë e Monsinjor Mirditës ka koinciduem përveçse me kohët e forta liturgjike, me dekretin e kanonizimit prej Papës të Nanë Terezës për të cilën fliste me nji delikatesë shejte e gati në kufijtë e xhelozisë, tue mos u mburr për raportin e veçantë që kishte me ta, edhe pse ishte ndoshta ndër të vetmit shqiptar me të cilin Nanë Tereza kishte pasë nji raport të ngushtë dhe vlerësim njerëzor e ipeshkvor.

Raportimi pa komplekse me tjetrin, simpatia paradhanie që demostronte, krenia e përvujtë si Ipeshkëv dinjitoz, shpirti i lindun indulgjent ndaj mjerimit fiziologjik të tjetrit dhe prakticiteti në antitezë me modelet filozofike shterp, i jepnin Monsinjor Mirditës nji nur gati hyjnor, të cilin me shumë zell e ka shpërnda në grigjën e vet e lum ato që kanë vjelë diçka prej ktyne cilësive të tij.

Sa herë kujtoj fjalët plot rrespekt e simpati të Monsinjor Mirditës ndaj bashkvllazënve ipeshkëv të shuguruem në të njajtën ditë prej Papës Gjon Pali II dhe homazhin e sinqertë ndaj vuejtjeve dhe persekutimit të tyne, mendoj shpesh se kjo qasje duhet të kthehet në nji standart, prej atyne që kanë përgjegjësi drejtuese në Kishë, për mos me harrue se katolicizmi shqiptar ka nji histori martire prej të cilës duhet me u ushqye shpallja e rinovueme e unjillit shejtë pa ba kompromise me pulsionet narciziste që harresa mundet me krijue.

Ushtrimit i misionit baritor në Kryeqytetin e Shqipnisë për natyrën e vet komplekse, ka kërkue cilsi e dhunti të rralla e në fakt, i vetdijshëm për këtë eventualitet asht investue direkt Papa Shën Gjon Pali i dytë për me gjet një Ipeshkëv në naltësinë e drejtimit të Arqipeshkëvisë Durrës-Tiranë, tue konvergue pikërisht në personin e Monsinjor Mirditës, në atë kohë famullitar në një Kishe Shqiptare të New York-t.

Katolicizmi mbarë shqiptar, i shkërmoqun në periferi dhe katakombe nga diktatura otomano-komuniste, i detyrohet shumë punës së palodhun e diskrete të Monsinjor Mirditës, i cili për shkak të profilit të tij të naltë njerëzor e dinjitetit ipeshkvor,  futi një ndër komunitetet fetare ma të persekutueme në rruzullin tokësor në një proces të pakthyeshëm historik pjesëmarrjet në agoranë publike, tue rinovue me urti e durim shejtë potencialitet e këtij komuniteti, tharm shëlbues i identitetit të shqiptarëve.

Figura e monsinjor Mirditës ka kenë në këto vite postkomuniste pasaporta me të cilën identifikohej me krenari krejt Komunitetit Katolik Shqiptar, në virtyt të profilit të tij të naltë dhe rrespektit qe kishte diktue trasversalisht anekand Shqipnisë, përtej simpative dhe antipative njerëzore, të cilat veçse kanë fisnikërue figurën e tij.

Çdo besimtar katolik asht ndi fatlum për bariun e vet Monsinjor Rrokun që e ka drejtue grigjën me bujari, kompetence, intuitë profetike e liri të brendshme shpirtnore në shtigjet e zorshme e intriguese të fesë së Krishtit në këto kohë të turbullta, ku ritmet moderne materialiste me frenezinë tipike të tranzicionit shqiptar, vazhdojnë me kenë sfidat e vërteta me të cilat do të matet shoqnia shqiptare në përgjithësi e Komunitetit Katolik në veçanti.

Në cdo takim me Monsinjor Rrokun, përfshi i fundit në festën e Gjithë Shejtnëve me 1 nandor 2015, kam pasë mundësinë me verifikue, konfirmue e vlersue stofen e nji burri të jashtëzakonshëm, me sens të naltë të inteligjensës praktike, nji karakter i mbrujtun me humor e autoironi e larg çdo meskiniteti, i vetdijshëm me i dhanë dinjitet detyrës ipeshkvore por mbi të gjitha njeri me liri të brendshme, veti sot e rrallë dhe fort e dobishme me relativizue absolutizmat tonë mediokër tokësor.

Misioni i tij ipeshkvor e Testamenti i tij  shpirntor përmbidhet vërtet me fjalët e librit të tij, pra, me ndërtue nji Shqipni me Zotin. Figura e Monsinjor Mirditës përban me të vërtet nji pasuni fort të çmueme për të gjithë ne e në mënyrë të direkte edhe për pasardhësët e tij në dioqezën Tirane-Durrës, ku Monsinjori tashma asht ba edhe fizikisht e shpirtnisht themeli real i Katedrales së Shën Palit dhe idealisht i krejt Dioqezës.

Falënderoj Zotin që e ka nderue Shqipninë me hirin e nji pasardhësi të denjë të Apostujve në personin e Monsinjor Rrok Mirditës.

Nga Dr. Nest Zefi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *