Nga Dom Marjan Lumçi
Maria, bija e Adamit, duke e pranue fjalën hyjnore, pranoi me u bë nëna e Jezusit dhe duke pranue me gjithë forcën e shpirtit të sajë vullnetin shëlbues të Atit si dhe duke mos pasë asnji njollë të mëkatit origjinal i cili rrjedh ndër të gjithë ne prej prindve të parë, e kushtoi vetveten plotësisht si Shërbëtore e Zotit në shërbim të veprës të Birit të saj duke i shërbye në këtë mënyrë plotësisht Misterit të shëlbimit. Në koncilin e Efezit të mbajtur në vitin 431, në të cilin u shpall edhe natyra njerëzore dhe hyjnore e Fjalës së mishnuar Jezu Krishtit, në të njëjtin koncil u shpall edhe amësia hyjnore e Zojës së bekueme. Etimologjia: Maria = e dashur prej Hyjit në gjuhën egjiptiane, ndërsa në hebraisht do të thotë zojë. Martirologu i Romës: Në tetëditëshin e lindjes së Zotit tonë Jezu Krishtit dhe në ditën e rrethprerjes së Tij, solemnitetit i Nënës së Zotit, Marisë së Shejtë: Etërit e Koncilit të Efezit e shpallën Theotókos, sepse prej saj Fjala mori mishin dhe në këtë mënyrë Biri i Hyjit filloi të banonte me trup në mesin e njerëzve si princ i paqes e të cilit i qe dhanë emri që është mbi çdo emër. Solemniteti i Marisë, Shejtes Nënës së Zotit, asht festa e parë e Zojës e cila asht festue në kishën e lindjes. “Lindja e Marisë së Shejtë” filloi që të kremtohej në Romë dikund rreth shekullit të VI, pak a shumë me rastin e kushtimit të një prej kishave të para në Romë që mban emrin e Zojës: Sh. Maria Antiqua në Foron roman, në jug të tempullit të Kastorëve. Liturgjia e kremtuese në këtë rast, lidhej në mënyrë të drejtë për drejtë me liturgjinë e Kshndellave, dhe në këtë mënyrë 1 janari në liturgji mori edhe emërtimin “in octava Domini”, (në tetëditëshin e Zotit): gjithçka në përkujtim të ritit të përmbushun tetë ditë pas lindjes së Jezusit, ditë në të cilën shpallej ungjilli i rrethprerjes duke i dhanë kështu edhe emrin festës e cila hapte vitin e ri. Reforma e mëvonshme e kalendarit ka risjellë në datën 10 janar festën e amësisë hyjnore, festë e cila që prej vitit 1931 kremtohej me 11 tetor, në përkujtim të koncilit të Efezit në të cilin ishte shpallë solemnisht nji e vërtetë aq shumë e dashtun dhe e vlefshme për krejt popullin e krishtenë: Maria është Nëna e vërtetë e Krishtit, që është Biri i vërtetë i Hyjit. Nestori kishte guxuar të deklaronte në këtë rast: “Hyji ka pra nji nënë? Atëherë mos ta dënojmë mitologjinë greke e cila të gjitha hyjnive u caktonte dhe u emëronte nji nënë”. Por, shën Cirili i Aleksandrisë i ishte përgjigjë duke i thënë: “Do të thuhet: Virgjëra është nëna e hyjnisë? Kësaj ne i përgjigjemi: Fjala e gjallë, vetëekzistuese, është krijuar prej së njajtës substancë të Hyjit Atë, dhe ekziston bashkë me të qysh prej amshimit… Por në një çast të caktuar të kohës kjo Fjalë është bërë mish, e për këtë arsye mund të thuhet se ka lindur prej një gruaje”. Jezusi, Biri i Hyjit, ka lindur prej Marisë. Pikërisht prej kësaj prerogative të shkëlqyeshme dhe ekskluzive i jepen Virgjërës të gjithë titujt që ne asaj i thurim, edhe pse në të vërtetë në mund të bëjmë një dallim të sugjeruar nga vetë Krisht mes shejtnisë personale të Marisë dhe amsisë hyjnore të saj: “Një grua ngriti zërin nga mesi i turmës dhe tha: “Lum krahnori që të ka mbajti dhe gjiri nga i cili ke marrë qumësht!”. Por ai tha: “Të lum janë ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e vënë në zbatim!”” (Lk 11, 27v) Në të vërtetë, “Maria, bija e Adamit, duke e pranue fjalën hyjnore, u bë nëna e Jezusit, e duke e përqafu me gjithë shpirt dhe pa asnjë peshë mëkatit vullnetin shëlbues të Hyjit, e kushtoi plotësisht vetveten e saj si Shërbëtore e Zotit ndaj personit dhe veprës së Birit të saj, duke i shërbye misterit të shëlbimit nën Të e me Të, me hirin e Hyjit të gjithëpushtetshëm. (Lumen Gentium, 56).